Skip to main content

"Vazhdoj të besoj se po t’u krijohen mundësitë fëmijëve, ata mund të realizojnë çdo ëndërr!" Kjo thënie e senatorit amerikan David Vitter, duket se ka frymëzuar kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani, i cili ka zhvilluar një nga dëgjesat më speciale, rezervuar posaçërisht për ekselentët e shkollave të mesme të territorit të Bashkisë që ai drejton.

Është nga ditët më të bukura dhe Ju jeni vizitorët më të mirëseardhur, ndaj dhe prania juaj, përveçse motivim për të shërbyer më devotshmëri dhe përgjegjshmëri ndaj interesave komunitare, është dhe një shtysë, për të ofruar një qasje tjetër në përzgjedhjen e politikave për të rinjtë, që sigurojnë një perspektivë afatgjatë dhe një vizion më të qartë integrues, duke u mbështetur në kapacitetet e reja, që do vijnë pikërisht nga brezat tuaj”. Kështu ju drejtua Kryetari i Bashkisë Z. Mark Babani këshillit rinor të bashkisë, i përbërë nga nxënës ekselentë nga shkollat e mesme.

"Ju jeni e ardhmja, jeni zhvillimi dhe pritshmëritë tona ndaj jush janë të mëdha. Bashkia Vau-Dejës për hir të Gjeografisë, gëzon tre potenciale të rëndësishme, që në të ardhmen mund të përkthehen në realitete zhvillimore: Energjia, Buqësia dhe Turizmi. Është pikërisht ky potencial që me punë e përkushtim, si dhe me ofrimin e kapaciteteve nerëzore të mirëshkolluara, mund t'i kthejmë në burim mirëqënieje për banorët tanë".

Në këtë takim Kryetari Babani, njohu të rinjtë me investimet e shumta që po ndodhin në zonë, por edhe reformat që janë ndërmarrë, duke synuar gjithnjë përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve banorët.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetari Babani, evidentoi se, një ndër arsyet e ndryshimeve të shpejta në bashkinë Vau i Dejës, është bashkëpunimi me komunitetin, hallkat e ndryshme të pushtetit vendor, individë, kontribuotorë dhe faktorë që e duan vendin e tyre dhe po investojnë për të, dhe kjo është arritur falë kredibilitetit dhe aftësive për të krijuar një panoramë ndryshe të funksionimit të institucionit, ku primar mbetet qytetari dhe shërbimi sa më cilësor ndaj nevojave të tij.

Të rinjtë treguan interes për investimet që lidhen drejtpërdrejtë për rininë. Ata shtruan disa kërkesa, si biblioteka, qendra rinore, parqe dhe vende argëtimi.

Kryetari, njohu të rinjtë me buxhetin për rikonstruksionin e shkollave për 2020-ën, si dhe parashikimin dhe fillimin e shpejtë të punimeve për rikonstruksionin e qendrës kulturore.

Ky takim u zhvillua në kuadër të projektit "Bashkitë për Evropë", që po zbatohet nga Bashkimi Europian, nën kujdesin e veçantë të Zyrës Integrimit Europian, pranë Bashkisë Vau i Dejës.

Kjo zyrë, me novacionin që ka sjellë përgjegjësja e saj, Znj. Entela Kolaj, ka organizuar takime të shumta me target-grupe të ndryshme të kësaj bashkie, duke u fokusuar në rolin që luan komuniteti në proceset integruese të vendit, si dhe duke adresuar problematika të shumëllojshme që lidhen me sensibilitetet që ka ky proces. 

Më pas të rinjtë u njohën me thirrjen "Ambasadorët e Rinj Evropianë nga Ballkani Perëndimor". Thirrja pritet të gjenerojë një rrjet prej 60 të rinjsh që do të jenë ndikues organikë, në mesin e bashkëmoshatarëve të tyre dhe të etur për t'u angazhuar në veprime të diplomacisë publike. Kryetari dhe drejtuesja e Zyrës së Integrimit Europian, inkurajuan të rinjtë që të aplikojnë. Afati i aplikimit është data 15 Korrik 2020./ bpe.al