Erion Veliaj: Tirana, ndër bashkitë më aktive të Ballkanit kur flitet për Projektet e BE

Sot Bashkia e Tiranës është një ndër bashkitë më aktive në rajon për aplikimin e projekteve në të gjitha thirrjet ku mund të aplikojë Shqipëria. Bashkia Tiranë ka aplikuar në 5 vitet e fundit në 64 projekte në shumë prej programeve të financimit të BE-së, duke fituar 12 projekte (me një shkallë suksesi prej gati 20%) me vlerë totale prej afro 3.3 milionë euro. Spektri i projekteve përfshin fusha si menaxhimi i ujit, mjedisi, energjia e rinovueshme, trajtimi i mbetjeve, mobiliteti, harmonia fetare, ndërsa partnerët përfshijnë shumë bashki në Itali, Greqi, Bullgari, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Armeni, Austri, Poloni etj.

NGA ERION VELIAJ 
Kryetar i Bashkisë Tiranë
Në 5 Dhjetor të vitit 2016, të 61 bashkitë e vendit të përfaqësuara në shoqatat e bashkive, shprehën vullnetin e tyre “... për të punuar së bashku në mënyrë që të rrisin kapacitetet e bashkive në çështje që lidhen më Bashkimin Evropian dhe për të përhapur tek administrata vendore dhe qytetarët informacion lidhur me BE-në, politikat dhe programet e tij të finacnimit”. Ky vullnet u konkretizua me firmosjen e një Marrëveshjeje Mirëkuptimi mes të gjitha palëve.
Bashkia e Tiranës ka qenë ndër të parat që, me fillimin e mbështetjes financiare të Bashkimit Europian nëpërmjet projektit “Bashkitë për në Europë”, ngriti Drejtorinë e Koordinimit të Investimeve të Huaja dhe Integrimit Europian. Kjo drejtori është funksionale që prej marsit të
vitit 2018, me mision mbështetjen dhe koordinimin e strukturave të bashkisë në realizimin e reformave për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhojnë nga procesi i Integrimit Europian, si dhe të sigurojë programimin dhe zbatimin me efiçencë të gjithë financimeve në kuadër të programeve të BE-së dhe donatorëve të tjerë...”.
Në bashkëpunim të ngushtë me Delegacionin Europian dhe Projektin “Bashkitë për në Europë”, është synuar ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore të Bashkisë dhe të drejtorisë në veçanti, nëpërmjet trajnimeve të ndryshme për procesin e integrimit dhe thithjes së sa më shumë projekteve nga programet financuese të BE-së.
Sot Bashkia e Tiranës është një ndër bashkitë më aktive në rajon për aplikimin e projekteve në të gjitha thirrjet ku mund të aplikojë Shqipëria. Bashkia Tiranë ka aplikuar në 5 vitet e fundit në 64 projekte në shumë prej programeve të financimit të BE-së, duke fituar 12 projekte (me një shkallë suksesi prej gati 20%) me vlerë totale prej afro 3.3 milionë euro. Spektri i projekteve përfshin fusha si menaxhimi i ujit, mjedisi, energjia e rinovueshme, trajtimi i mbetjeve, mobiliteti, harmonia fetare, ndërsa partnerët përfshijnë shumë bashki në Itali, Greqi, Bullgari, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Armeni, Austri, Poloni etj.
Në 6-mujorin e parë vitin 2020 Bashkia e Tiranës ka aplikuar në 19 thirrje, me projekte që trajtojnë tema tepër sensitive për Tiranën dhe Shqipërinë, si menaxhimi i impaktit të fatkeqësive natyrore, tërmeteve, emergjencave dhe trajtimi i impaktit të Covid-19.
Gjithashtu, sektori i integrimit europian në Bashkinë Tiranë ishte pjesë integrale e skuadrës e cila përgatiti aplikimin e Tiranës për titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, i cili u fitua në Nëntor të vitit 2019.
Tashmë Shqipëria ka një rrjet të ngritur të Zyrave të Integrimit Europian në nivelin vendor. Unë me kënaqësi jam informuar edhe për vlerësimin që ambasadori Luigi Soreca i bëri zyrës së Integrimit Europian në Bashkinë Tiranë për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka luajtur me ndarjen e informacionit dhe asistencën e dhënë strukturave të tjera gjate periudhës së vështirë të karantinës nga COVID-19.
Forcimi i bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet strukturave të integrimit europian në të gjitha bashkitë e vendit është një mekanizem tejet i rëndësishëm për rrugëtimin e Shqipërisë drejt antarësimit në BE.
Së fundmi, dua të citoj një paragraf të rëndësishëm të Raportit të Komisionit Europian të datës 5 Maj 2019: “Komunikimi i BE-së mbi Politikat e Zgjerimit”, i cili thekson se “... Roli i autoriteteve rajonale dhe vendore në procesin e harmonizimit të BE-së dhe zbatimi eventual i rregullave të BE-së duhet të jetë i konsiderueshëm. Duhet gjetur një ekuilibër i përshtatshëm mes qeverisë qendrore, rajonale dhe asaj vendore, ekuilibër që mbështet më së miri zbatimin e reformave dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”.