Ambasadori Soreca: Roli i qeverisë vendore në procesin e pranimit në BE është themelor

  • Posted on: 22 November 2021
  • By: admin

Fjala e Ambasadorit, Z. Luigi Soreca në Konferencën “Bashkitë shqiptare dhe procesi i integrimit në BE”

I nderuar Kryenegociator,

I nderuar Zëvendësministër,

Të nderuar përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Financat dhe Ekonominë, Agjencisë për Mbështetjen e Pushtetit Vendor dhe Shkollës së Administratës Publike,

Të nderuar autoritete vendore,

Të nderuar kryetarë të bashkive dhe drejtues të Njësive të BE-së,

Kolegë, zonja dhe zotërinj,

Faleminderit që pranuat ftesën time!

Është kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë në këtë konferencë pune sot me të gjithë ju. Po aq sa më pëlqen të punoj dhe jetoj në Tiranë, po aq më pëlqen të jem në kontakt me pjesën tjetër të Shqipërisë kur kam mundësi të shoh vendin dhe thelbin e njerëzve të tij, aspiratat e tyre, kushtet e jetesës, përparësitë.

Dhe çfarë mjedisi i mahnitshëm për diskutimin tonë sot! Faleminderit, kryetar Flamuri, për mikpritjen tuaj të ngrohtë!

Më duhet ta filloj fjalën time me titullin e kësaj konference: “Bashkitë shqiptare dhe procesi i integrimit në BE”. Nëse dikush ka ende ndonjë dyshim, më lejoni të theksoj: roli i qeverisë vendore në procesin e pranimit në BE është themelor. Rreth 70% e zbatimit të acquis të BE-së në Shqipëri do të ndodhë në nivel vendor. Prandaj, qeverisja vendore pritet të marrë një rol gjithnjë e më aktiv në këtë proces dhe të krijojë një mjedis të përshtatshëm që nxit vlerat e BE-së dhe plotëson nevojat reale të qytetarëve sipas standardeve të BE-së.

Përgatitja në kohë, përfshirja e plotë e qeverisjes vendore dhe ngritja e kapaciteteve të kërkuara në nivel vendor janë të gjitha thelbësore për suksesin e integrimit në BE. Është e rëndësishme të theksohet se një pjesë e madhe e legjislacionit dhe standardeve të BE-së nis të zbatohet shumë para pranimit.

Është po aq e rëndësishme – thjesht ana tjetër e së njëjtës monedhë - që autoritetet kombëtare të marrin parasysh nevojat dhe shqetësimet vendore gjatë përgatitjes së pozicioneve negociuese shqiptare dhe ndryshimit të politikave dhe legjislacionit kombëtar në përputhje me rregullat dhe kërkesat e BE-së.

Kjo nuk do të thotë vetëm përfshirje e autoriteteve vendore, por edhe e shoqërisë civile, sipërmarrësve, grupeve rinore dhe të tjerëve në proces. Është e nevojshme të zhvillohet një dialog dhe debat në qarqet me shumë lojtarë që do ta lehtësojë përparimin e vendit drejt integrimit në BE dhe anëtarësimit përfundimtar. Roli i udhëheqjes bashkiake dhe këshillave të zgjedhur për nxitjen dhe mbështetjen e një dialogu të tillë është vendimtar.

Këto janë arsyet pse BE-ja po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje dhe po rrit asistencën për qeverisjen vendore në Shqipëri, ndërsa Shqipëria po përparon drejt pranimit në BE. Mbështetja financiare për qeverisjen vendore jo vetëm që është rritur në vëllimin e financimit - duke arritur sot në 34 milionë euro - por gjithashtu ka zgjeruar dhe shtuar fushën e saj.

Sot BE-ja mbështet të katër fushat e strategjisë së decentralizimit:

Zhvillimi institucional dhe i kapaciteteve për një kuptim më të mirë të kërkesave të pranimit në BE dhe qasjen në financimet e BE-së përmes konsolidimit të Njësive të BE-së në nivel bashkiak.

Ofrimi i shërbimeve vendore dhe zhvillimi ekonomik - forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore në nivel vendor në mënyrë që të rritet efikasiteti i ofrimit të shërbimeve publike për qytetarët dhe të forcohet zhvillimi ekonomik vendor dhe demokracia vendore.

Zhvillimi i politikave përmes mbështetjes së Këshillit Konsultativ, duke nxitur një dialog më efikas dhe efektiv midis qeverisë qendrore dhe asaj vendore.

Decentralizimi fiskal dhe harmonizimi ligjor: mbështetja e re buxhetore për Qeverisje të Mirë për qeverinë qendrore është e lidhur (me dy tregues specifikë) me përpjekjet e Shqipërisë për të ecur përpara dhe me dhënien e rezultateve në këto fusha.

Në këtë kontekst, jam i kënaqur të prezantoj sot nismat tona më të fundit në mbështetje të qeverisjes vendore.

Dy projekte të mbështetura më parë kanë dhënë rezultate të mira deri tani dhe po vazhdojnë punën e tyre:

“Bashkitë për Evropën” ka qenë shumë e rëndësishme për ta ndihmuar Shqipërinë për krijimin e Njësive të BE-së në nivel bashkie. Njësitë e BE-së – “ambasadoret vendore të BE-së”, siç më pëlqen t'i quaj - luajnë një rol të rëndësishëm. Ne kemi investuar për të rritur kapacitetet e tyre. Ato duhen mbështetur më tej, veçanërisht nga kryetarët e tyre.

STAR ka qenë një shtyllë kurrizore që ka garantuar që zyrat me një ndalesë të jenë në dispozicion të qytetarëve për të kërkuar dhe marrë shërbime administrative në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Unë e kuptoj se ambicia tani është për t'i sjellë shërbimet edhe më pranë qytetarëve, në nivelin e njësisë administrative, si dhe për të zhvilluar modalitete për t'i bërë shërbimet të disponueshme edhe në distancë, në përputhje me e-politikën e përgjithshme të qeverisë. BE-ja shënon sot kontributin e vet në STAR (2.5 milionë euro) dhe më pëlqen të përfitoj nga ky rast për të kujtuar se ne mbështesim zbatimin e këtij projekti nga UNDP-ja së bashku me partnerët e tjerë donatorë si Zvicra dhe Suedia.

Por më e rëndësishmja, sot unë mirëpres dhe ju paraqes programin tonë të ri – “BE për bashkitë”, një skemë grantesh të drejtpërdrejta për bashkitë në përgjigje të shumë vizitave në terren ku autoritetet vendore dhe bashkësitë vendore ngritën nevojat e tyre konkrete me ne. Të gjitha bashkitë do të mund të aplikojnë dhe ne do të kemi një thirrje për aplikime për grante çdo gjashtë muaj. Thirrja e parë do të jetë në nëntor për grante deri në 200,000 euro (për një grant të përgjithshëm prej 1,75 milionë euro). Grantet do të mbështesin infrastrukturën dhe shërbimet publike vendore, zhvillimin ekonomik vendor, inovacionin, krijimin e vendeve të punës, mbrojtjen e mjedisit dhe fuqizimin e të rinjve. Ne presim që përmes një procesi konkurrues, rreth një e treta e bashkive shqiptare të përfitojnë nga këto grante të financuara nga BE-ja. Sërish, do të jetë vendimtare që bashkitë të konsultohen me komunitetet e tyre vendore dhe të reflektojnë mbi nevojat dhe përparësitë e tyre kur të vendosin se cilat projekte të propozojnë.

Një pikë shumë e rëndësishme në skemën e granteve: në Marrëveshjen e Financimit IPA 2020, Qeveria e Shqipërisë është zotuar - si kusht formal - të sigurojë një bashkëfinancim prej të paktën 10% të shumës së secilit nëngrant të përfshirë në skemën e granteve “BE për bashkitë”. Po i shoh përfaqësuesit e qeverisë me shpresën se ata do ta konfirmojnë këtë angazhim, pasi buxheti për vitin 2022 është duke u përgatitur, në mënyrë që të mund ta vendosim këtë ndihmë financiare të BE-së në dobi të komuniteteve vendore.

Suksesi i këtyre aktiviteteve do të varet si nga zbatuesit ashtu edhe nga kontributi pozitiv i të gjithë aktorëve. Kanalet tona të komunikimit mbeten të hapura sa herë që janë të mundshme përmirësime të mëtejshme.

Por kjo është gjithçka që mund të bëjnë donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë. Folësit e tjerë janë shumë më kompetentë për të përshkruar se ku dëshiron vetë Shqipëria të shkojë më tej me përpjekjet e decentralizimit dhe se si qeveritë qendrore dhe vendore mund të punojnë së bashku në mënyrë që çdo shqiptar të përfshihet në procesin e integrimit në BE. Këto janë temat kryesore mbi të cilat shpresoj të shkëmbejmë mendime gjatë orës së dytë të aktivitetit të sotëm.

Faleminderit!