“Performanca e Bashkive”, radha e Devollit për prezantimin e Raportit të Vlerësimit

  • Posted on: 26 September 2020
  • By: admin

Bashkitë për në Evropë ka organizuar takimin e madh online të Bashkisë së Devollit. Në aktivitetin e moderuar bashkërisht prej drejtueses së Projektit, Znj. Jolanda Trebicka dhe drejtuesit të Njësisë së Integrimit Evropian në Bashkinë Devoll, Z. Remzi Kutrolli, kanë qenë të pranishëm Kryetari i Bashkisë Devoll, Z. Eduard Duro, Drejtori i AMVV, Z. Bekim Murati, Koordinatorja e Programeve Ndërkufitare në Delegacionin e BE, Znj. Francesca Renzi, si dhe pjesëtarë të administratës dhe të këshillit bashkiak të Devollit. 

Kryetari i Bashkisë Devoll ka përshëndetur takimin, duke vënë theksin tek “roli që bashkitë kanë në procesin e integrimit, duke patur parasysh se 70 përqind e legjislacionit të BE zbatohet në nivel lokal”. Më tej, Kryetari i Bashkisë, duke renditur sfidat me të cilat përballet pushteti lokal në punën e përditshme, dhe në mënyrë të veçantë sa i përket procesit të Integrimit, ka falënderuar Agjencinë e Mbështetjes së Qeverisjes Vendore, delegacionin e BE, si dhe projektin “Bashkitë për në Evropë”, për mbështetjen e dhënë në forcimin e kapaciteteve në funksion të përballimit të këtyre detyrave.

Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Qeverisjes Vendore, Z. Bekim Murati, ka përsëritur edhe një herë gatishmërinë e institucionit që ai drejton, për të mbështetur të 61 bashkitë e Shqipërisë në këtë proces sfidues, që siç tha ai “duhet të çohet deri në fund për shkak se është dëshira e pjesës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë”. Për këtë arsye, ashtu si dhe në takimet e tjera, Z. Murati ka kujtuar rrugëtimin që kanë bërë njësitë e integrimit nga Kënde të BE në njësi të konsoliduara tashmë, si struktura mbi të cilat organet e pushtetit vendor duhet të mbështeten në rrugëtimin drejt integrimit të Shqipërisë në BE dhe përmbushjes së detyrimeve që këto institucione kanë në këtë proces.

Znj. Renzi, përfaqësuesja e Delegacionit të BE ka falënderuar Projektin “Bashkitë për në Evropë dhe stafin e tij, për përpjekjet që të ruhen kontaktet me njësitë e qeverisjes vendore edhe në këtë kohë të vështirë që po kalon jo vetëm Shqipëria, si dhe për të demonstruar siç tha ajo se “bashkëpunimi mes BE dhe Shqipërisë po vazhdon me shpejtësi të plotë”.

Znj. Renzi ka thënë më tej se “mbështetja e Bashkimit Evropian ofron një shans të mëtejshëm për qytetarët dhe stafet e bashkive, që të ngrihen në një nivel më të lartë si dhe të shtojnë fuqinë e tyre në pjesëmarrje dhe në proceset vendimmarrëse, në të gjitha nivelet”. Sipas Znj. Renzi “bashkëpunimi ndërkufitar, si një sektor që e mbuloj, është një shans shumë i mirë sidomos për ato qytete dhe territore që janë larg qendrës dhe kryeqytetit, por që kanë mundësinë që, afërsinë me qytetet kufitare të vendeve fqinje mund ta shndërorjnë në një oportunitet të mirë”. 

Më tej, ekspertet e “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, kanë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të Vlerësimit të Performancës, si edhe mundësitë e financimeve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.