“Bashkitë për në Evropë”, si best practice në mbledhjen e Komitetit të Rajoneve

  • Posted on: 8 July 2022
  • By: admin

Mbledhja e radhës e Komitetit të Rajoneve, e mbajtur në Bruksel në datat 6-7 korrik 2022, ka patur në fokusin e vet zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian.
Dita e Zgjerimit për këtë vit, e gjen BE në një realitet politik të ndryshuar me një luftë të madhe dhe ndryshime të mëdha gjeopolitike në Evropë. Pushtimi rus i Ukrainës dhe aplikimet që pasuan për anëtarësimin në BE të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë kanë ndryshuar peizazhin e politikës së zgjerimit.  Cilat janë shpresat dhe frika e këtyre vendeve, a janë realiste pritshmëritë e tyre për një anëtarësim të shpejtë dhe a do të ishin të përgatitura autoritetet e tyre lokale dhe rajonale për të trajtuar rreth 70% ose më shumë të legjislacionit të BE-së me të cilin do të duhej të përballeshin? Dhe cila është situata në vendet që tashmë janë në paradhomën e pritjes së BE-së për një kohë të gjatë dhe kanë përvoja dhe pritshmëri të tyret?
“Bashkitë për në Evropë”, si shembull suksesi
Veçantia e takimit të këtij viti në Ditën e Zgjerimit, ka qenë padyshim prezantimi i një videoje informuese mbi projektin “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri. Me anë të saj, Z. Orlando Fusco, menaxher programi në Delegacionin e BE dhe i ftuar si folës, ka zgjedhur të bëjë prezantimin mbi eksperiencën e Shqipërisë.
Në një seancë mbi Ballkanin Perëndimor dhe posaçërisht Shqipërinë, video mbi arritjet e projektit “Bashkitë për në Evropë” është prezantuar si shembull i praktikave më të mira për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE, sidomos kur flitet për vetëdijësimin mbi rolin që autoritetet lokale kanë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Bashkitë për në Evropën është një projekt strategjik i nisur në vitin 2017 nga Delegacioni i BE-së në Tiranë, për të forcuar kapacitetet qeverisëse të bashkive shqiptare në lidhje me BE-në – dhe gjithashtu për të ofruar qytetarëve dhe administratave lokale informacione për BE-në, politikat, programet dhe fondet e saj. 
Nisma u miratua menjëherë nga partnerët dhe të gjitha bashkitë tani kanë krijuar dhe pajisur me personel "Njësitë e BE-së". Të gjithë 138 personat e punësuar nga Njësitë e Integrimit Evropian në bashkitë e Shqipërisë janë trajnuar nga projekti “Bashkitë për në Evropë”. 
Që nga viti 2018, sesionet informuese të Njësive të Integrimit kanë angazhuar rreth 39 500 persona përmes më shumë se 2 000 aktiviteteve.