Selenicë: “Duart e vogla që mundë të sjellin ndryshimin për Planetin Tokë”

  • Posted on: 6 May 2019
  • By: admin

Selenicë, 23 prill 2019 - Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Selenicë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, zhvilloi një aktivitet në bashkëpunim me mësuesit dhe nxënësit e klasës së 7 dhe të 8, të shkollës 9-Vjeçare “Todi Koçeli”, në kuadër të Ditës së Tokës.

Ndër aktivitetet e zhvilluara me këtë rast, ishte një hapësirë poetike kushtuar mbrojtjes së planetit tonë, ndërkohë që u organizua edhe një ekspozitë me punime artistike të realizuara vetëm me materiale të riciklueshme, siç ishte mbjellja e luleve në shishe plastike.

Nxënësit e shkollës realizuan artistikisht edhe postera me mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit, nga faktorët e ndryshëm që e cënojnë atë, pasojat që sjell një mjedis i ndotur në shëndetin e qenieve të gjalla, dhe si ndikon një mjedis i dëmtuar në zhdukjen e specieve në mbarë botën.

“Në natyrë, asgjë nuk ekziston e vetme”, ishte një prej mesazheve të përcjella nga të rinjtë. Prandaj duhet ta ruajm ekuilibrin e natyrës, në mënyrë që zhdukja mos të jetë trashëgimia jonë më e qëndrueshme.

Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Selenicë do të vazhdojë të organizojë aktivitete të ngjashme informuese dhe sensibilizuese, me grupe të ndryshme interesi.