Roli i qeverisjes vendore për integrimin e Shqipërisë. “BpE” boton raportin e dytë të performancës së Bashkive

  • Posted on: 22 February 2020
  • By: admin

Roli i vetëqeverisjes vendore në zbatimin e politikave, në zbatimin e Acqui Communitaire dhe në axhendën e integrimit evropian është shumë i rëndësishëm. Komisioni Evropian e thekson përsëri këtë rol në Komunikimin e vitit 2019 për Politikën e Zgjerimit të BE-së si vijon: “Roli i autoriteteve rajonale dhe vendore duhet të merret parasysh në procesin e harmonizimit me BE-në dhe në zbatimin eventual të rregullave të BE-së. Duhet gjetur një ekuilibër i përshtatshëm mes qeverisë qendrore, rajonale dhe asaj vendore që mbështet më së miri zbatimin e reformave dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”.

Projekti “Bashkitë për në Evropë” ka botuar tashmë Raportin e dytë të Vlerësimit, raport i cili nxjerr në pah rëndësinë e rolit të pushtetit vendor në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, bazuar në pajtueshmërinë me angazhimet e pranimit dhe kriteret e vitit 2018.

Raporti është hartuar me kontributin e ekipit të Projektit “Bashkitë për në Evropë” dhe të ekspertes, znj. Albana Dhimitri, e cila përgatiti kapitullin e rekomandimeve.

Njësitë e Integrimit Evropian në secilën Bashki kanë koordinuar proçesin e brendshëm të mbledhjes së të dhënave, ndërsa Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, ka koordinuar mbledhjen e të dhënave nga 61 bashkitë.

Integrimi në BE është sfidues dhe kërkon shumë përpjekje nga ana e administratës qendrore dhe asaj vendore. Qeveria shqiptare po shkon drejt një qeverie të hapur në funksion të përmirësimit të politikave kombëtare, transparencës dhe të cilësisë së shërbimeve publike nëpërmjet zhvillimit të sistemeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe të qendrave me një ndalesë.

Forcimi i administratës publike, vendosja e dialogut me qytetarët përmes proceseve politikbërëse të hapura dhe me pjesëmarrje dhe rritja e kapacitetit të qeverisë për të zgjedhur politikat më të përshtatshme midis opsioneve të ndryshme kanë të gjitha rëndësi thelbësore në funksion të lidhjes së qeverive me qytetarët e tyre dhe nxitjes së një rritje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Ky është Raportit i dytë vjetor “Bashkitë në Procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE”. Raporti synon të paraqesë progresin e bërë nga bashkitë shqiptare gjatë vitit 2018 në lidhje me përmbushjen e përgjegjësive siç përcaktohet nga kuadri ekzistues strategjik dhe ligjor dhe në lidhje me përafrimin me kriteret e pranimit dhe me standardet e BE- së.

Ky raport është i hartuar në bazë të strukturës së Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2017-2020 dhe Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Përmbledhja e gjetjeve kryesore të raportit jepet më poshtë.

SHENIM: Raportin e plotë mund ta lexoni online ose mund ta shkarkoni duke klikuar KËTU