Skip to main content

Mbështetja e qeverisë, bashkëpunimi i të gjithë palëve, projekti “Bashkitë për në Evropë”, dhe strukturat e integrimit evropian pranë çdo Bashkie, janë garancia më e mirë që ne kemi për suksesin e këtij procesi të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë

NGA ROMINA KUKO
Zëvendës Ministre e Rendit

Integrimi Evropian është parë në përgjithësi si një proces që i përket qeverisjes qendrore, takimeve bilaterale të titullarëve dhe delegacioneve respektive të institucioneve qendrore, dhe në tërësi si një paketë kriteresh politike dhe ligjore, të cilat gjithashtu duhet të përmbushen nga niveli qendror.
Megjithatë, sa më shumë thellohemi në këtë proces, aq më qartë kuptojmë se integrimi real ka të bëjë me standarde të cilat më së pari duhet të zbatohen në nivel vendor. Kapitujt e përafrimit të legjislacionit, apo siç quhet ndryshe Acquis Communautaire, përkojnë në një pjesë të madhe të tyre me përmbushje të standardeve dhe kritereve të cilat janë ekskluzivisht tagër i bashkive.
Në këtë sens, Projekti “Bashkitë për në Evropë”, mund të konsiderohet pa as më të voglin dyshim, një prej projekteve më të domosdoshme dhe të rëndësishme, të financuar nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë.
Zbatimi i tij në të 61 bashkitë e vendit e bën edhe më të qenësishëm, duke qenë se asistenca e dhënë është në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe bën të mundur që secila bashki të flasë të njëjtën gjuhë, kur vjen puna për ndjekjen e agjendës evropiane. Ndonëse sfidë në vetvete, projekti ia ka dalë mbanë më së miri të ketë qasje dhe rezultate të prekshme nëpër gjithë territorin e vendit.
Forcimi i kapaciteteve të njësive vendore nuk është më thjesht një dëshirë, as edhe një objektiv që mbetet në letër. Vullneti
i qeverisë sonë, bashkëpunimi i vetë bashkive, kryetarëve dhe stafit të tyre dhe mbështetjes së plotë dhe tejet profesionale të Projektit “Bashkitë për në Evropë”, e bën që ky forcim, të jetë realitet.
Roma nuk u ndërtua në një ditë - është shprehja. Edhe hapat e para të këtij projekti nisën nëpërmjet ngritjes së tabelave dhe këndeve të BE në hollet apo hapësirat e posaçme të Bashkive të Shqipërisë. Më pas në një kohë të shkurtër ato do të institucionalizoheshin nëpërmjet një vendimi qeverie dhe do të transformoheshin në Njësi të Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj. Një proces ky, që shkoi krah për krah me filozofinë e përvetësuar tashmë prej Projektit dhe financuesve të tij: kalimin nga qëndrueshmëria, tek zotërimi i Procesit”. Që të quhet i plotë, procesi i integrimit duhet të prekë çdo cep të territorit të vendit tonë. Nuk mund të ketë Shqipëri evropiane nëse nuk kemi standarde si në Tiranë ashtu edhe në Përmet, Shkodër, Pogradec apo Dropull. Standarde të zhvillimit të territorit, zhvillimit të bujqësisë, standarde për mjedisin, shanse të barabarta, demokraci vendore, të turizmit, të zhvillimit të territorit. Ndaj dhe kryetarët e rinj të bashkive, duke iu bashkuar vizionit jo vetëm të qeverisë, por të gjithë qytetarëve të Shqipërisë se rruga jonë e natyrshme është drejt Evropës, kanë një shans historik për të ngritur secili në bashkinë që drejton, një bërthamë prej së cilës do të merret dhe do të jepet më shumë Evropë. Do të merren mundësi për projekte dhe mbështetje, mundësi për perfeksionim të punës së stafit dhe performancës së bashkisë, dhe në këmbim
do të jepet më shumë shërbim, më shumë prosperitet më shumë demokraci për qytetarët tanë, të cilëve kemi nderin t’ju shërbejmë.
Keni fatin që, në bashkitë tuaja puna për këtë ka nisur, stafet i keni të trajnuara dhe asistencën e keni aty. Ajo që duhet garantuar tani është vazhdimësia. Kujtesa institucionale që prej nisjes së procesit, ruajtja e burimeve njerëzore të cilët janë trajnuar për mëse dy vjet tashmë, nga ekspertët më të mirë.
Është në dorën tuaj të që të forconi kapacitetet e njësive tuaja vendore në lidhje me funksionimin e tyre brenda standardeve evropiane si dhe përthithjen e fondeve evropiane mbi bazë projektesh, sepse në thelb është pikësëpari në interesin e drejtuesve të rinj të pushtetit lokal, në të gjithë Shqipërinë. Siç e dinë mirë ato kryebashkiake apo kryebashkiakë, që kanë rifituar besimin e qytetarëve në qytetet e tyre, Njësitë e Integrimit Evropian janë një kolonë e fuqishme dhe e domosdoshme, në rrugën tonë drejt integrimit evropian. Mbështetja e qeverisë, bashkëpunimi i të gjithë palëve, projekti “Bashkitë për në Evropë”, dhe strukturat e integrimit evropian pranë çdo Bashkie, janë garancia më e mirë që ne kemi për suksesin e këtij procesi të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë
Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE nuk do të ndodhë “me urdhër”, nga askund. Shqipëria do të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane, duke u integruar pikësëpari nga komunitetet lokale, nga Bashkia jote.