Skip to main content

Projekti “Bashkitë për në Evropë”, në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Regional Development Programme Albania, kanë zhvilluar në datën 27 qershor 2023, në Pallatin e Kongreseve, trajnimin me stafet e Njësive të Integrimit Evropian dhe pjesëtarë të interesuar nga stafet e bashkive, trajnimin me temë: “Politikat e Kohezionit të Bashkimit Evropian”.
Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) në funksionin e saj si Sekretariat Teknik për Kapitullin 22 “Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumentave Strukturore”, me mbështetjen e Projektit “Bashkitë për në Evropë” dhe Programin për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri do të organizojë dy “Trajnime të Përgjithshme në lidhje me Politikat Evropiane të Kohezionit” për 61 Bashkitë e Shqipërisë.
Drejtori i Përgjithshëm i AMVV, Z. Arben Skënderi, në përshëndetjen për të pranishmit, ka vënë theksin tek rëndësia që trajnimet me stafet e organeve të pushtetit vendor, kanë sa i përket fuqizimit të rolit të këtyre institucioneve, kur vjen fjala tek përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE. Duke risjellë dhe një herë në vëmendje që mbi 70 përqind e legjislacionit të BE-së zbatohet në nivel lokal, Z. Skënderi garantoi se institucioni që ai drejton do të intensifikojë përpjekjet, në bashkëpunim edhe me nisma si Projekti “Bashkitë për në Evropë”, një prpojekt i financuar nga BE, për të rritur kapacitetet e stafeve të institucioneve lokale.
Në të njëjtën frymë, Z. Jolanda Trebicka, drejtuese e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, ka bërë një bilanc të rezultateve që trajnimet e këtij lloji, por edhe aktivitetet e shumta të mbështetura prej projektit, kanë sjellë sa i përket fuqizimit të rolit të stafeve të Njësive të Integrimit, rezultate që janë më të dukshme kur shihet numri i projekteve me financim të huaj, të fituara nga bashkitë e Shqipërisë.
Trajnuesi, Z. Denis van Dam, Drejtues i Projektit RDPA, ka trajtuar në prezantimin e tij, tema të tilla si “Objektivat dhe parimet e Politikës së Kohezionit të BE-së”, aspektet kyçe të zbatimit të Politikës së Kohezionit, Roli dhe Funksionet e Përfituesve Përfundimtarë si dhe rëndësia e kapaciteteve absorbuese.