Novoselë, Vlorë / Të rinjtë japin ide për zhvillimin e Agrobiznesit

  • Posted on: 28 May 2019
  • By: admin

Këndi i BE-së në Bashkinë Vlorë ka vazhduar aktivitetet me qëllime informuese, në Njësitë Administrative të kësaj Bashkie.

Ditën e martë, 23 prill 2019, Këndi u zhvendos në njësinë e Novoselës, në Shkollën e Mesme të Bashkuar, ku nën drejtimin e Koordinatores së BE-së në Bashkinë Vlorë, znj. Fabiola Deliaj, të rinjtë zhvilluan një orë informuese dhe diskutimesh, tema qëndrore e të cilës ishte Agrikultura.

Njësia Administrative Novoselës, është një zonë ku janë të zhvilluara bizneset e vogla familjare si restorante, kultivime frutash dhe perimesh, por edhe biznese te ndryshme me fokus shërbimin e produkteve bio të zonës.

Të rinjtë, të ndarë në grupe, hodhën idetë e tyre sesi mund t’i japin zhvillim komunitetit ku jetojnë, me qëllim gjenerimin e më shumë të ardhurave, e si pasojë përmirësimin e kushteve të jetesës. Ata vunë theksin në pozicionin gjeografik tejet të favorshëm që ka kjo njësi administrative, ndër të cilat afërsia me detin, prania e Lumit të Vjosës, infrastruktura e përmirësuar rrugore, pjelloria e tokës etj.

Për shkak se ky aktiviteti përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Tokës, një hapësirë e posaçme diskutimi mes të rinjve, iu kushtua edhe problematikave si ndotja e mjedisit si pasojë e papërgjegjshmërisë së banorëve  në disa zona, dhe rëndësisë që ka ndërgjegjësimi i tyre për të krijuar një mjedis të pastër, si garanci për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë.