Skip to main content

“Bashkitë për në Evropë” dhe ASPA zhvilluan në datat 15-16 qershor 2023, në Tiranë, trajnimin për grupin e parë të stafeve të Njësive të Integrimit Evropian dhe bashkive respektive, i cili ishte i fokusuar në fazat e njëpasnjëshme të aplikimit për projekte, në kuadër të thirrjes së hapur të Binjakëzimit dhe Angazhimit qytetar, nga programi i Bashkimit Evropian, CERV.
Znj. Elda Baguca, përfaqësuese e ASPA, theksoi për të pranishmit rëndësinë e pjesëmarrjes në këto trajnime praktike, qëllimi i të cilëve është forcimi i kapaciteteve si dhe rritja e mundësive të bashkive, për të përfituar nga fondet e akorduara prej Bashkimit Evropian.
Në të njëjtën frymë, Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e projektit “Bashkitë për në Evropë”, ka bërë një bilanc të trajnimeve të organizuara nga ky projekt në bashkëpunim me ASPA, por edhe aktorë të tjerë, të cilët sipas saj, kanë patur një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të aplikimeve fituese nga ana e bashkive, ku një rol të dorës së parë kanë patur pikërisht stafet e angazhuara të Njësive të Integrimit Evropian.
Trajnimi është organizuar nën kurrikulën e ASPA-s nga projekti “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Programit CERV për Shqipërinë.