Nën-Bashkia e Bukureshtit, plotësisht me energji diellore deri në vitin 2024
Burimi: The Mayor.eu
Sektori 1 do të jetë administrata e parë vendore që do të arrijë autonomi të qëndrueshme energjetike në Rumani
Autoritetet në nën-bashkinë e Bukureshtit, Sektori 1, njoftuan se do të fillojnë instalimin e paneleve diellore në të gjitha ndërtesat publike. Projekti do të zgjasë deri në vitin 2024, por do ta bëjë atë bashkinë e parë rumune që është plotësisht e pavarur për sa i përket energjisë.
Sipas një deklarate të kryebashkiakes së Sektorit 1, Clotilde Armand, sistemi i përfunduar do të prodhojë më shumë energji në baza vjetore, sesa konsumon sektori administrativ.
Vendimi duket se ndjek një trajektore të ngjashme me politikën e Shtutgartit në Gjermani, për banesat bashkiake dhe ligjet në Hamburg për rinovimin e çative, duke i detyruar pronarët të instalojnë panele diellore. Megjithatë, qasja rumune duket shumë më e shpejtë dhe e vendosur.
Për sa i përket peshës administrative, Bukureshti është më shumë në nivelin e një qarku, sesa një qyteti. Ai është i ndarë në gjashtë sektorë, ku secili ka kryetarin e vet dhe këshillin e bashkiak.
Një risi për Rumaninë
Në deklaratën e saj, kryebashkiakia Armand shpjegoi se Sektori 1 do të jetë njësia e parë vendore në vend që do të prodhojë më shumë energji elektrike se sa konsumon. Duke filluar nga ky vit, autoritetet do të fillojnë instalimin e sistemeve fotovoltaike (PV) në të gjitha çatitë e ndërtesave publike në këtë sektor.
Sipas saj, janë 150 të tilla, ku përfshihen kopshte, shkolla fillore, shkolla të mesme, spitale dhe zyra administrative. Projekti vlerëson se, me një zgjerim gradual në dy vitet e ardhshme, sistemi i ri PV do të jetë në gjendje të prodhojë 21,000 kWp (kilovat në kulmin e prodhimit).
Kryebashkiakia Armand shpjegoi se është më shumë se sa konsumon bashkia dhe për shkak se të gjitha ndërtesat e sektorit janë të lidhura me rrjetin kombëtar, Sektori 1 do të furnizojë me energjinë që tepron, pjesën tjetër të vendit.
Fazat dhe konsumi
Sistemi fotovoltaik bashkiak do të instalohet në faza, ku e para do të fokusohet në 10 godina arsimore. Prodhimi duhet të jetë rreth 2,000 kilovat në kulmin e prodhimit, ose ekuivalenti i përafërt i 2.4 milion kilovat-orë energji elektrike, pa pagesë dhe të gjelbër, në vit.
Për krahasim, në vitin 2020 konsumi total i energjisë në ndërtesat publike të Sektorit 1 ishte rreth 9 milionë kWh energji elektrike dhe 28 milionë kWh gaz natyror, që i kushtoi administratës rreth 2.3 milionë euro.
Clotilde Armand shpjegoi se energjia elektrike me lëndë djegëse fosile pritet të kushtojë gjithnjë e më shumë dhe sa më shpejt të përfundojë kalimi në energjinë diellore, aq më shumë para do të jenë në gjendje të kursejnë taksapaguesit. Për më tepër, vlera e shtuar e reduktimit të ndotjes do të ketë një efekt pozitiv të dukshëm në shëndetin e banorëve vendas.