Ndërgjegjësohu, pastaj shpërnda!

  • Posted on: 30 January 2019
  • By: admin

Këndi i BE-së në Bashkinë e Patosit në bashkëpunim me Shkollën e Mesme "Zhani Ciko" organizuan aktivitetin "Ndërgjegjësohu, pastaj shpërnda" ("Be aware before you share!"),  në kuadër të “Ditës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” që kremtohet çdo 28 Janar në Europë dhe në mbarë botën si “Dita e Privatësisë”.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ndërgjegjësimi i të rinjve mbi praktikat më të mira online, cilat janë të drejtat e njeriut në këtë fushë, parashikimet në legjislacionin e BE-së dhe në atë shqiptar, si dhe ajo çka është më e rëndësishmja, si t'i ushtrojnë këto të drejta në veprimet e tyre të përditshme.

Aktiviteti filloi me prezantimin e një materiali në Powerpoint (të cilin do e gjeni bashkangjitur) dhe më pas nxënësit u ndanë në dy grupe për të luajtur me lojën “Happy Onlife” e cila është miratuar nga Qendra Europiane e Shkencës, për të ndihmuar fëmijët por edhe të rriturit për njohjen nga ata e tyre të përdorimit sa më të sigurt të internetit. Pyetjet sfiduese që iu bënë nxënësve gjatë lojës nëpërmjet “Challenge Cards”, nxitën ndërveprimin mes tyre dhe hapën tematika të ndryshme se si ata duhet të sillen online dhe më së tepërmi gjatë përdorimit të rrjeteve sociale.

Në aktivitet mori pjesë edhe një studente që vazhdon universitetin në Kinë, për të treguar me shembuj konkret një realitet paralel me legjislacion ndryshe nga ai i BE-së dhe Shqipërisë, për sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale, duke promovuar së fundmi standardin e BE-së si standard botëror, më modernin dhe më të fortin për sa i përket rregullimeve ligjore në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.