Mirditë: Në Javën e Evropës, Bashkia ishte e gjitha e të rinjve

  • Posted on: 21 August 2019
  • By: admin

14 Maj 2019 - Njësia për Kordinimin e Integrimit Europian dhe Ndihmës së Huaj në bashkinë Mirditë organizoi në kuadër të Javës së Europës aktivitetin “Bashkia e të rinjve “. 

Pjesë e formatit të aktivitetit u bënë 25 të rinj gjimnazistë dhe gjithashtu 2 përfaqësues të Këshillit Bashkiak. Zhvillimi i këtij simulimi, u karakterizua nga një sesion informimi mbi vendim-marrjen në nivel lokal, i ndjekur më pas nga pozicionimi i të rinjve në rolin e Këshilltarëve Bashkiakë, duke përjetuar përvojën e të qenurit ata aktorët vendim-marrës dhe politikë-bërës për një ditë. Kjo iniciativë është frymëzuar nga qasja dhe parimet thelbësore te Strategjisë së Bashkimit Europian për Rininë 2019-2027, e cila konsiston në Përfshirje - Ndërlidhje - Fuqizim. 
Bazuar në këto vlera dhe objektiva, përfaqësuesja e Njësisë së Integrimit Europian, Borana Pepa i angazhoi të rinjtë “këshilltarë” të inicionin Hartimin e një Plani Lokal Veprimi për Rininë”. Diskutimi i zhvilluar në kete kontekst rezultoi të ishte shumë i gjallë dhe i frytshëm, pasi të gjithë pjesëmarrësit ishin aktivë dhe ndërvepruan me njëri-tjetrin për një produkt të sukseshëm të takimit. Idetë e propozuara ishin nga më të ndryshmet dhe origjinalet, dhe grupi mori përsipër që pas formulimit final, ta propozojë draftin në një takim të radhes me Kryetarin e Bashkisë. 
Një aktivitet i tillë ishte në harmoni me temën e përzgjedhur nga Delegacioni i BE në Shqipëri për festimet e Javës së Europës: “The Power of Youth/Fuqia e të rinjve “.
Njësia e Kordinimit të Integrimit Europian dhe Ndihmës së huaj në bashkinë Mirditë është e angazhuar që t'i mbajë të rinjtë në fokusin themelor të punës së saj, duke besuar në potencialin që ata kanë si agjentë të mdryshimeve pozitive në komunitet.