Skip to main content

Ditën e premte, në datë 9 shkurt 2023, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, në bashkëpunim me projektin “Bashkitë për në Evropë”, ka zhvilluar një takim rrjetëzues me drejtuesit dhe stafet e 61 Njësitë e Integrimit Evropian në bashkitë e Shqipërisë.
Takimi ka patur për qëllim diskutimin e hapave të mëtejshëm, në kuadër të bashkërendimit të Njësive të Integrimit Evropian, për procesin e hapur të negociatave dhe kryesisht negocimin e Kapitullit 22, “Zhvillimi rajonal dhe Koordinimi i Instrumentave Strukturore”.
Drejtori Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Arben Skënderi, u ndal në rëndësinë që ka kontributi i njësive të qeverisjes vendore, dhe konkretisht stafeve të njësive të integrimit në rolin e tyre koordinues, sa i përket ecurisë së procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Z. Skënderi ka ritheksuar mbështetjen e institucionit që drejton, në rolin e vet për bashkërendimin dhe koordinimin e procesit të Integrimit Evropian, ndërmjet Qeverisjes Qendrore dhe Njësive të Vetëqeverisjes Vendore.
Znj. Marie Augoy, Menaxhere Programi në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, është ndalur tek rëndësia që kanë dy proceset: ai i Mapping dhe procesi i raportimit të projekteve të zbatuara në nivel lokal, për vlerësimin e kapaciteteve që kanë bashkitë, për përmbushjen e detyrimeve në procesin e integrimit evropian.
“Unë jam shumë e lumtur që kam parë një përmirësim të procesit të vlerësimit të performancës, me kalimin e viteve”, është shprehur Znj. Augoy, duke shtuar se “kjoë shtë një provë e mirë që ne ia kemi dalë ta institucionalizojmë këtë proces, duke e bërë atë sistematik”.
Gjithashtu, Znj Augoy u shpreh se “jam shumë e lumtur që përmes projektit “Bashkitë për në Evropë”, Bashkimi Evropian është duke ndihmuar më në fund Shqipërinë, për të patur një bazë të dhënash të projekteve me financim të huaj, nevoja për të cilën ka kohë që ka lindur”.
Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e projektit “Bashkitë për në Evropë”, ka bërë më pas prezantimin e ecurisë dhe problematikave të hasura, si gjatë procesit të hedhjes së të dhënave për vlerësimin e performancës së bashkive, ashtu edhe procesit të hedhjes së të dhënave për projektet me financim të huaj që zbatohen në nivel lokal.
Sipas saj, ndërkohë që procesi i vlerësimit të performancës së bashkive, është konsoliduar tashmë si një ushtrim i përvitshëm, procesi i saponisur i hedhjes së të dhënave për krijimin e një baze të dhënash të projekteve me financim të huaj, ka për synim që “të krijohet një sistem që të rregjistrojë në mënyrë sistematike gjithë projektet që zbatohen nga bashkitë me financime të donatorëve; të ofrohet informacion mbi shpërdarjen gjeografike e projekteve dhe vlerën totale të financimeve të përthithura direkt nga bashkitë’ si dhe të vlerësohen kapacitetet e bashkive për të aplikuar”.
Në fund të takimit rrjetëzuar, përfaqësuesit e Njësive të Integrimit kanë ngritur shqetësimet e trye mbi problematikat e dala gjatë procesit të hedhjes së të dhënave, si dhe kanë marrë informacionet e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, nga përfaqësuesit e AMVV dhe projektit “Bashkitë për në Evropë”.