Lezhë, diskutime me administratën dhe komunitetin mbi Raportin e Vlerësimit

  • Posted on: 15 February 2020
  • By: admin

“Matja e performancës së Bashkive ka një rëndësi të veçantë, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Kështu ka deklaruar kreu i Programit për Qeverisjen e mirë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Z. Orlando fusco, gjatë takimit të zhvilluar në Bashkinë e Lezhës për prezantimin e Raportit të Vlerësimit 2018.

Me praninë e Kryetarit të Bashkisë Lezhë, Z. Pjerin Ndreu, drejtorit të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Bekim Murati dhe drejtueses së Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka, është zhvilluar një takim i zgjeruar për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti. Anëtarë të Këshillit Bashkiak të Lezhës, zyrtarë të administratës vendore, përfaqësues të grupeve të interesit dhe komunitetit, kanë qenë gjithashtu të pranishëm në këtë takim që ka marrë formën e një debati mes të pranishmëve.

Duke qenë se as më pak e as më shumë, po 70 përqind e kuadrit ligjor të Bashkimit Evropian do të zbatohet në nivel lokal, Z. Fusco u ka kujtuar të pranishmëve rëndësinë jetike që ka pushteti vendor në përmbushjen e këtyre detyrimeve. “Prandaj ne si BE mbështetëm Ministrinë e Brendshme në hartimin e këtij raporti. Dhe këshilla jonë është që administrata lokale ta konsiderojë atë si një pasqyrë ku sheh veten, pozicionin ku ndodhet, ndërkohë që për të ardhmen ndjekja e rekomandimeve të Raportit do të ishte tejet dobiprurëse”. 

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Z. Pjerin Ndreu, duke folur më tej për gjetjet dhe rekomandimet e Raportit, është ndalur tek disa problematika të pasqyruara edhe në Raport, sidomos ato që lidhen me burimet njerëzore dhe ndërtimit të kapaciteteve, por edhe rëndësisë që ka një bashkëpunim më i ngushtë me qeverinë qendrore. “Transparenca dhe meritokracia në rekrutim ka një rëndësi jetike për ndërtimin e këtyre kapaciteteve”, deklaroi Z. Ndreu, “ashtu sikurse ka rëndësi edhe puna që ne bëjmë sa i përket taksimit dhe ndërtimit të hapësirave publike”.

Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Bekim Murati ka shtuar se “Bashkitë duhet të bëhen domosdoshmërisht pjesë e këtij procesi të rëndësishëm dhe ne si qeveri qendrore, kemi detyrë t’i asistojmë. Sepse në BE, nuk do të integrohet vetëm Tirana por të gjitha Bashkitë bashkë me komunitetet dhe qytetarët, të cilët duhet të mendojnë si evropianë. Mbi të gjitha”, shtoi ai, “ne duhet që të ndërgjegjësohemni dhe të kuptojmë se si do t’i qasemi këtij procesi të integrimit, ku padyshim do të kemi asistencë por që në radhë të parë duhet të përveshim mëngët ne vetë”.

Më tej, Menaxherja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka ka bërë një prezantim të hollësishëm të gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, duke u kujtuar të pranishmëve se “feedback-u i stafeve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile është i domosdoshëm në përmirësimin e raportimit”. Sipas Znj. Trebicka, “qëllimi i raportit nukë është për të patur një krahasim mes bashkive, por që gjithësecila prej tyre të ketë një mënyrë për të parë se ku ndodhet me shërbimet e ofruara qytetarëve në raport me kërkesat e integrimit, dhe më tej në bazë të rezultateve dhe rekomandimeve, të orientohet dhe asistenca që do të duhet të përftojë”.

Projekti “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian ka nisur një seri takimesh në të 61 bashkitë e Shqipërisë, në kuadër të prezantimit dhe diskutimit me përfaqësuesit lokalë të gjetjeve dhe rekomandimeve të këtij raporti.