Koordinatorët e “Bashkitë për në Evropë”, një shembull mbresëlënës solidariteti

  • Posted on: 6 April 2020
  • By: admin

Në një shembull prekës solidariteti, një bashkëpunim i shkëlqyer ka marrë formë këto ditë të vështira, misid grupit të drejtuesve dhe specialistëve të Njësive të Integrimit Evropian në Bashkitë e Shqipërisë.

Prej kohësh, të gjithë ata janë pjesë e një grupi i cili është në komunikim të pandërprerë me njëri-tjetrin. Dhe në këto ditë të vështira, kur shumica dërrmuese e shqiptarëve janë në karantinë për shkak të pandemisë së Covid-19, ky lloj bashkëpunimi ka vlejtur më shumë se kurrë.

Specialistët e Njësisë së Integrimit Evropian në Bashkinë Memaliaj, kanë shpërndarë këto ditë të vështira pako me ushqime, për qytetarët më në nevojë të këtij qyteti, të cilët kanë vështirësi në përballimin e jetesës, sidomos në këto ditë kur e kanë të pamundur që edhe të punojnë. Pakot me ushqime janë përgatitur dhe dërguar nga drejtuesja e Njësisë së Integrimit Evropian në Bashkinë e Vaut të Dejës, Znj Entela Kolaj.

Kjo e fundit, pas thirrjes për të ndihmuar këta banorë nga specialistja e Njësisë së Integrimit në Bashkinë Memaliaj, ka arritur të mobilizojë një OJF vendase. Falë këtij mobilizimi, 130 pako me ushqime u shpërndanë për familjet më në nevojë të Memaliajt.

Ky nuk është shembulli i vetëm – edhe pse më i spikaturi – i aktivitetit që rrjeti i koordinatorëve kanë patur gjatë këtyre ditëve të zbatimit të masave të distancimit social. Janë të shumta bashkëpunimet mes tyre, në frymën e vlerave të solidaritetit, vlera që qëndrojnë në themelet e krijimit të BE ashtu si e njohim sot. “Bashkitë për në Evropë” po vazhdon që të ofrojë kontributin e vet në këto ditë të vështira për të gjithë shqiptarët.