Këndi BE-së Gramsh organizon aktivitetin "Aktivizohu edhe ti!", në kuadër të ditës kombëtare të aktivizmit

  • Posted on: 24 October 2018
  • By: admin

Më datën 22 Tetor, në kuadër të ditës kombëtare të aktivizmit, Këndi i Be-së Gramsh në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh dhe organizatën Center of Development Gramsh, organizuan aktivitetin “Aktivizohu edhe ti!” në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, në qytetin e Gramshit. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte nxitja e të rinjve për t’u bërë pjesë e projekteve sociale dhe për të ndërmarrë nisma në dobi të komunitetit.

I ftuar në këtë aktivitet ishte Arber Çepani, një ndër aktivistët me emër në vendin tonë, i cili është dalluar për ndërmarrjen e nismave qytetare. Arbri bëri një bashkëbisedim me të rinjtë e qytetit të Gramshit, duke dhënë shembullin e tij si qytetar aktiv dhe duke dhënë shembuj konkret se si aktivizimi qytetar mund të ndihmojë në zgjidhjet e problemeve që çdo komunitet ka.

Gjatë takimit u diskutuan edhe sfidat që hasin komunitetet e vogla në ditët e sotme, si emigrimi dhe papunësia te të rinjtë dhe si ti reduktojmë disi këto fenomene nëpërmjet nismave qytetare, vetpunësimit të të rinjve apo shfrytëzimit të burimeve të shumta natyrore që Gramshi zotëron.

Pjesëmarrësve ju prezantua dhe programi i Komisionit Europian për të rinjtë “European Solidarity Corps”, i cili bazohet në Shërbimin Vullnetar Europian dhe synon të nxisë të rinjtë dhe organizatat të shprehin angazhimin e tyre në dobi të komuniteteve dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e situatave sfiduese në të gjithë Europën. 

Takimi u mbyll me disa numra artistik të vënë në skenë nga fëmijët e talentuar të Qendrës Kulturore të Fëmijëve.