Integrimi i suksesshëm, nëse ndodh jo vetëm në qendër, por në të gjithë komunitetet tona

  • Posted on: 27 September 2019
  • By: admin

Znj. Kryetare, prej dy vitesh në Bashkinë tuaj, ashtu sikurse dhe në 60 bashki të tjera të Shqipërisë, në kuadër të Projektit “Bashkitë për në Evropë”, i financuar nga Bashkimi Evropian, është ngritur fillimisht Këndi i BE-së dhe më tej është integruar në strukturën e institucionit Njësia e Integrimit. A mund të na thoni diçka më shumë në lidhje me zbatueshmërinë e tij?

Së pari më lejoni të falenderoj, Delegacionin Europian që nëpërmjet Projektit “Bashkitë për Evropën” ka mundësuar ngritjen e Këndeve të Bashkimit Europian në bashkitë e vendit, duke mundësuar në këtë mënyrë që ofrimin dhe shkëmbimin e informacioneve mbi politikat e Bashkimit Europian dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen Europiane. Roli i Këndeve të BE-së (dhe sot strukturave të integrimit) në qytetet tona po fillon të ndihet gjithnjë e më shumë, kjo falë edhe përkushtimit të kordinatorëve të BE-së si pjesë e stafeve tona, si dhe mbështetjes së ekipit të projektit. 

Në bashkëpunim me ekipin e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, kemi ndërtuar një strukturë e cila është shndërruar ndër më të vizitueshmet për komunitetin tonë. Ne jemi të vetëdijshëm që procesi i integrimit të Shqipërisë do të kërkojë kohë dhe përpjekje, dhe mbi të gjitha është një proces që do të realizohet më sukses vetëm nëse ndodh jo vetëm në qendër, por kudo nëpër komunitetet tona. Dhe pikërisht këtë kemi patur parasysh kur i kemi dhënë peshën e nevojshme kësaj Njësie në bashkinë tonë. Ajo është porta ku qytetarët tanë marrin informacion në lidhje me politikat e Bashkimit Evropian, thirrje për projekte, shembuj suksesi të projekteve të realizuara në njësi të tjera etj. Por mbi të gjitha, kemi vënë në qendër të vëmendjes të rinjtë. Jemi fokusuar tek ata, pasi jemi të vetëdijshëm që forca dhe vullneti i tyre janë një motorr i pazëvendësueshëm në përpjekjen tonë për integrim në BE. Eshtë mbi të gjitha dëshira e tyre për të patur një të ardhme njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në BE, forca që na vë në lëvizje për t’i bërë sa më mirë të jetë e mundur detyrat tona. Me krenari e them që ne jemi edhe Bashkia që ndërrmori e para iniciativën për hapjen e Kendeve të Informimit për të rinj, në dy shkollat e mesme të Roskovecit. 

Si ka qenë bashkëpunimi mes palëve në këtë proces të rëndësishëm?

Marrja e rekomandimit për hapjen e negociatave nxerr përpara gjithë në detyra dhe sfida të mëdha, sfida që kërkojnë jo vetëm angazhim nga ana e pushtetit vendor por dhe njëkohësisht rritje të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit ndërmjet strukturave në nivelin vendor dhe atij vendor, strukturave të Bashkimit Europian direkt me pushtetin vendor. Një praktikë e nisur tashmë. Gjatë kësaj periudhe kemi ndjerë bashkëpunimin e stafeve të delegacionit të BE, të cilët si të thuash kanë “zbritur në terren”, duke qenë më pranë nesh si institucion dhe si komunitet, për ta njohur më mirë realitetin. 

Më kujtohet në një prej takimeve që patëm në bashkinë tonë me një përfaqësues të Delegacionit të BE, në kuadër të aktivitetit “ Njohuritë e të Rinjve për BE-ne” në 19 Prill, 2019 , i cili më tha porosinë që ishte dhënë nga ish ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri: “Zbrisni në terren, sepse Shqipëria nuk është vetëm Tirana”. Dhe kjo është e vërtetë. Shqipëria nuk është Tirana dhe përfshirja e të gjithë bashkive të Shqipërisë në këtë proces mjaft të rëndësishëm për fatet e vendit është një domosdoshmëri. Eshtë e kotë të flasim për integrim, nëse fokusohemi vetëm në qendër dhe në metropole dhe harrojmë se integrimi i vërtetë ndodh vetëm kur pjesë e tij bëhen komunitetet vendore. Sepse nëse e shohim integrimin si procesin që do të përmirësojë ndjeshëm të ardhmen e njerëzve tanë, atëherë duhet të mos harrojmë se integrimi fillon aty ku ata jetojnë dhe punojnë.

Dhe si keni ecur me zbatimin e detyrave dhe përmbushjen e standarteve?

Integrimi nuk bëhet me fjalë. Integrimi kërkon vepra. Integrimi kërkon përmbushje të standarteve. Dhe standartet në nivelin vendor nuk mund të arrihen, nëse nuk përmbushen siç duhet disa parakushte: Së pari, ngritja e kapaciteteve njerëzore, të cilat do punojnë për përmbushjen e këtyre standarteve. Rritja e aftësive të tyre, por dhe motivimi i administratës vendore. Gjetja e mekanizmave të duhur motivues e financiarë që të mundësojë që njerëz të aftë të punojnë në administatën vendore, që studentët e dalluar të mund të kthehen e kontribojnë në qytetet e tyre të vogla; Së dyti, zhvillimi i infrastrukturës lokale. Standartet nuk mund të arrihen nëse infrastruktura lokale nuk zhvillohet, nëse qytetarit, kudo që ndodhet, nuk i ofrohen po të njëtat shërbime, po të njëjtat lehtësira në lëvizje e komunikim, në aksesin në shërbime; Së treti, dhe më e rëndësishmja, hapësira e nevojshme fiskale. Edhe pse janë bërë hapa në këtë drejtim, Shqipëqria qëndron shumë më mbrapa se vendet e tjera të Ballkanit e të Europes Juglindore, lidhur me treguesit e decentralizimit fiskal, si dhe burimet financiare për pushtetin vendor. 

Ndërkohë që shifrat tregojnë për një nevojë për të thelluar ndërrmarrjen e reformave më të thella nga ana e qeverisë lidhur me decentralizimin fiskal, unë mendoj se tashmë ka ardhur koha që edhe nga ana e Bashkimit Europian të shqyrtohen mekanizmat e ndihmës, në mënyrë që organet e pushtetit vendor në Shipëri të ndihmohen direkt, me anë të asistencës që duhet t’i jepet direkt njësive të qeverisjes vendore. Kjo duhet të jetë jo vetëm në formën e asistencës teknike, e cila tashmë po ofrohet nëpërmjet projekteve STAR2 apo Bashkitë për në Evropë, por edhe nëpërmjet asistencës financiare, që shkon direkt në ndihmë të njësive të Qeverisjes vendore, e kushtëzuar sigurisht nga progresi në përmbushjen e standarteve.  Thirrja e fundit e sapo publikuar nga Delegacioni Evropian që do mbështesi bashkitë në zbatimin e projekteve përmes financimeve grant është një hap pozitiv drejt kësaj qasje të ndihmës direkte. Uroj që më shume financime të kësaj natyre të ofrohen më shumë për bashkitë.