Skip to main content

TIRANE, 8 MAJ 2019 - Drejtoria e Integrimit Europian dhe Projekteve të huaja në Bashkinë e Tiranës ka zhvilluar sot një seancë informimi me një grup të rinjsh, të cilët  janë pjesë e programit të kësaj Bashkie, për afrimin e të rinjve praktikantë në administratë.

Seanca e diskutimeve në mjediset e sallës së trainimeve në Bashkinë Tiranë, është zhvilluar nën kujdesin e Këndit të BE pranë Bashkisë Tiranë dhe koordinatores së Projektit "Bashkitë për në Evropë", Blerta Tuçi.

Gjatë kësaj seance informimi, Znj. Jolanda Trebicka, Team Leader e Projektit "Bashkitë për në Evropë" ka bërë një prezantim të detajuar në lidhje me rolin që njësitë e integrimit evropian, në nivel vendor. Në diskutimin e hapur të zhvilluar me të rinjtë që aktualisht punojnë në Bashkinë e Tiranës në kuadër të praktikës, u prekën tema të tilla si rritja e aftësisë menaxhuese në pushtetin vendor, rritja e rolit të tij në kundërvënie të ekstremizmave të dhunshëm, ngritja e qendrave për fëmijë, hartimi i strategjive për barazinë gjinore etj., të gjitha këto pjesë të rëndësishme të rolit që qeverisja vendore ka dhe do të ketë në integrimin e Shqipërisë në BE.

Të rinjtë e pranishëm u informuan për mundësitë për informacion, që ofrohen nga ana e Këndeve të BE në nivel vendor, ku nga 3 qendra informimi që ishin në vitin 2017, tashmë janë 61. Të gjitha funksionale, qoftë fizikisht në mjediset e të 61 Bashkive, qoftë online.

Të rinjtë ishin veçanërisht të interesuar për programe që prekin drejtpërdrejt karrierën dhe të ardhmen e tyre, si për shembull programi Erasmus+, apo edhe të tjera Union Programs, të cilët kanë një impakt të drejtpërdrejtë në kualifikimet e tyre të mëtejshme.

Drejtorja e Drejtorisë së Integrimit Europian dhe Projekteve të Huaja në Bashkinë e Tiranës, Znj. Adela Abazi si dhe koordinatorja e "Bashkitë për në Evropë", Blerta Tuçi i janë përgjigjur interesit të të rinjve, ndërkohë që kanë bërë dhe një prezantim të hollësishëm, mbi fuqizimin e të rinjve në nivel vendor, nëpërmjet politikave të mbështetura nga Bashkimi Evropian.

Në aktivitet ishte e pranishme edhe  përfaqësuesja e Agjencisë së Mbështetjes së Vetëqeverisjes Vendore, Znj. Enxhi Dosti.

Seanca e informimit me të rinjtë praktikantë u zhvillua në kuadër të një serie aktivitetesh, në të 61 bashkitë e vendit, që po zhvillohen paralelisht në kuadër të "Javës së Evropës 2019", tema kryesore e të cilës është "Fuqia e Rinisë".