Dita evropiane e përkujtimit të viktimave në sistemet totalitare

  • Posted on: 20 February 2019
  • By: admin

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, Harabel dhe MEMO, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive, me mbështetjen e disa donatorëve në kuadër të memories organizoi me 23 Gusht 2018  Ditën Muze/Memorial “Dita Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare

Me këtë rast u organizua Ekspozita “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës” ku u krijua mundësia për t’u njohur me punën e Sigurimit të Shtetit në këtë zonë, duke u paraqitur materiale voluminoze, ekspozuar objekte muzeale dhe plotësuar shumë formularë për njohje me dosje individuale. Ekspozita u ndoq nga Simpoziumi shkencor për kuadrin historik e juridik të punës së detyruar në diktaturë. Para rreth 200 të pranishmëve, të mbijetuar e trashëgimtarë të tyre, të ardhur nga gjithë vendi me autobusë të posaçëm, mbështetur nga Bashkia Shkodër, zonja Voltana Ademi; nga Elbasani, mbështetur nga zoti Fatbardh Doko dhe Tirana, mbështetur nga IIPP dhe OSBE; para qytetarëve të Tepelenës, historianëve, studentëve dhe medias, arkitekti Gjon Radovani bëri një paraqitje të ecurisë së punës për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Punës së Detyruar në Tepelenë.  Në orën 18.30, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, erdhi në Kampin e Tepelenës dhe në prani të të mbijetuarve e familjarëve të tyre, përfaqësuesve të institucioneve publike e lokale, shoqatave të të drejtave të njeriut, përfaqësuesve të të gjithë spektrit politik, organizatave ndërkombëtare dhe të rinjve të pranishëm, dekoroi për ”Merita të Veçanta Civile”, disa nga të mbijetuarit.

Mbajtën fjalën në ceremoni dhe përballën qëndrimet e tyre znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, institucionit nismëtar të organizimeve të Ditës Muze/Memorial Tepelenë; z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit, i internuar në Tepelenë; znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës; z. Brian Williams, përfaqësues i PNUD në Shqipëri; znj. Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër; z. Nebil Çika dhe z. Bilal Kola, drejtues të shoqatave dhe Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë.  

Në mbyllje të ceremonisë, Presidenti i Republikës u shpreh se “pajtimi mund të arrihet duke kërkuar të falur, duke pranuar përgjegjësitë, duke shprehur respekt për të gjitha viktimat e regjimit totalitar dhe duke respektuar ata që luftuan kundër tiranisë dhe shtypjes. Drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore. Kërkimi i së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi, integrimi dhe dëmshpërblimi i tyre janë disa nga mënyrat për t’u shprehur atyre dhe familjarëve të tyre mirëkuptimin, simpatinë dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.”

Nderimi i të mbijetuarve dhe sakrificës së tyre u parapri nga aktivitete të ndryshme në kamp, që të rinjtë dhe të pranishmit të njihnin e të vlerësonin përmes kujtimeve, dramën njerëzore të mijëra familjeve, të jetuar ditë pas dite.
Projektet Sikur Mama... që i shoqëruan të ftuarit 2 kilometra pa arritur në kamp me kamion deri në hyrje të tij, me një këngë të kënduar nga Mariza Ikonomi, e ardhur nga dëshmia e Klora Merlikës, e mbijetuar; Shtrati-dhomë, që rindërtoi strukturën e drunjtë në të cilën jetonte dhe flinte një familje e tërë sipas dëshmive, dhe I përkasim njëri-tjetrit, që rrëfen në vetë të parë histori të mbijetesës në Tepelenë, synuan që përmes ndërveprimit t’i njihnin të pranishmit me kampin dhe të nxisnin reflektim. Projektet u ndërmorën dhe mbështetën nga MEMO. Në të njëjtën kohë, qytetarë të shumtë në kamp e jashtë tij blenë dhjetëra qiparisë (82) për Memorialin e fëmijëve që nuk i mbijetuan Tepelenës, hapi i parë për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar.