Ambasadori Soreca: “Ju jeni ambasadorë të BE në bashkitë tuaja dhe unë do të jem zëri juaj”

  • Posted on: 24 July 2020
  • By: admin

Ambasadori Soreca, takim me përgjegjësit e Njësive të Integrimit në 61 Bashkitë e Shqipërisë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqiperi, Z. Luigi Soreca, si dhe Kryenegociatori i Shqipërisë në BE, Ambasadori Zef Mazi, kanë zhvilluar një takim online me përgjegjësit dhe koordinatorët e Njësive të Integrimit Evropian në të 61 Bashkitë e Shqipërisë. Në takimin e organizuar nga “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga BE, ka marrë pjesë Zëvendësministrja e Brendshme, Znj. Romina Kuko dhe Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Bekim Murati.

Ambasadoroi Soreca ka vlerësuar peshën që ka marrë tashmë rrjeti i Njësive të Integrimit Evropian, që koordinohet prej Projektit “Bashkitë për në Evropë”. Duke theksuar se më shumë se 70 përqind e legjislacionit evropian, zbatohet në nivel lokal, Ambasadori Soreca ka siguruar pjesëmarrësit në takim se “në 2 vitet e ardhshëm të mandatit tim, do i dedikohem punës për të ndihmuar Z. Mazi, qeverinë qendrore dhe atë lokale, për t’u angazhuar në mënyrën e duhur në marrëdhëniet me Brukselin".

"Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë, si politikisht ashtu edhe financiarisht”, ka thënë Ambasadori, i cili ka folur më tej konkretisht për ndihmën që BE i ka dhënë Shqipërisë ndër vite: “Bashkimi Evropian mbështet me më shumë se 100 milion Euro në vit, ndërkohë që Shqipëria ka përfituar më shumë se 1.5 miliard Euro fonde të BE në 15 vitet e fundit, duke i shtuar këtyre edhe ndihmat që po ofrojmë pas tërmetit dhe aktualisht për Covid19”.

Ambasadori theksoi se do të vazhdojë turin e takimeve në kuadër të fushatës “Evropa është këtu”, të cilën e çeli dje nga qyteti i Vlorës.

Kryenegociatori Mazi theksoi për stafet e njësive të integrimit evropian, se kemi mbërritur në një moment kur kryetarët e Bashkive të Shqipërisë duhet të vetëdijësohen fort për detyrat dhe detyrimet që do të ndeshin në të ardhmen, dhe për të cilat duhet të përgatiten që sot. “E rëndësishme është që të punojmë të gjithë bashkë të koordinuar, sepse vetëm kështu do të bëjmë progres”, tha Ambasadori Mazi i cili shtoi se “mbështetja që kam ndjerë në këtë fillim të punës nga ana e Delegacionit të BE në Shqipëri, duhet që të shfrytëzohet maksimalisht për të çuar përpara procesin. Sepse do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë dhe duhet që të jemi të përgatitur për të shkuar deri në fund”.

Në takim, disa prej drejtuesve të Njësive të Integrimit Evropian kanë ngritur shqetësime për Z. Soreca dhe Z. Mazi, si për qartësimin e rolit të Bashkive në procesin e Integrimit evropian, ashtu edhe për incentiva për drejtuesit dhe koodinatorët e Njësive të Integrimit në bashkitë e Shqipërisë.

Takimi është koordinuar dhe moderuar nga Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Ky ishte takimi i dytë brenda 2 muajsh i Ambasadorit Soreca me Drejtuesit e Njësive të Integrimit në 61 Bashkitë e Shqipërisë.