Skip to main content

“Siguria dhe shëndeti në punë”, ishte titulli i konferencës organizuar sot në Gjirokastër nga Këndi i BE i këtij qyteti në bashkëpunim me projektin ‘Bashkitë për në Evropë’ dhe Bashkinë e Gjirokastrës. 

Ky aktivitet u organizua në kuadër të simbolikës së dy ditëve shumë të rëndësishme: 28 Prill, “Dita Ndërkombëtare e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë” si dhe 1 Maji, “Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve”. 

Takimi u hap nga Znj. Zamira Rami, Kryetare e Bashkisë, e cila në fjalën e saj u shpreh ; “Të gjithë e kuptojmë rëndësinë e kësaj fushe, e cila ka si detyrë parësore të drejtpërdrejtë garantimin e jetës dhe shëndetit të njeriut nëpërmjet parandalimit dhe ndalimit të aksidenteve në punë. Për këtë është e rëndësishme që evidentimi i saktë i problematikave mos të qëndrojë vetëm në nivel pyetësorësh por të përgatiten struktura dhe profesionistë në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, të cilët përmes procedurave të standardizuara të arrijnë të garantojnë sigurinë, shëndetin dhe jetën e punonjësve.

Në këtë takim mori pjesë edhe Znj. Alessandra Frontoni, drejtuese e programit për punët sociale pranë Delegacionit të BE në Shqipëri, e cila në fjalën e saj vuri theksin tek respektimi i të drejtave të njeriut në jetën e përditshme dhe në punë si një prej shtyllave bazë mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. 

Gjatë takimit pati edhe ndërhyrje nga folës të ndryshëm, ekspertë të fushës, të cilët ishin ftuar në këtë debat tematik, me qëllim dhënien e eksperiencave të institucioneve që ata drejtojnë në nivel të qeverisjes vendore.
Takimi u mbyll me një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh mes të pranishmëve.