“Shpreh edhe ti ëndrrën tënde evropiane”, Bashkia Belsh aktivitet spektakolar me të rinjtë

  • Posted on: 24 May 2019
  • By: admin

Belsh, 10-11 Maj 2019 - Në kuadër të Javës së Evropes, dhe në bashkëpunim me “Këshillin Rinor Belsh”, “Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj” në Bashkinë Belsh, organizoi aktivitetin me tematikë: "Ndiz edhe ti fanarin tënd dhe shpreh ëndrrën tënde Evropiane”.
Fokusi i serisë së aktiviteteve, ishte organizimi i seancave informuese për të edukuar 25 anëtarë të Këshillit Rinor, mbi stadin aktual të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, mbi Bashkimin Evropian, funksionimin e tij, vlerat që përcjell, mbështetjen dhe mundësitë që ofron për të rinjtë etj.
Të rinjtë e trajnuar, në tendën e ngritur në qendrën e qytetit nga “Njësia per Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj”, në bashkëpunim me stafin e saj, i shpërndanë këto informacione tek bashkëmoshatarët e tyre, si dhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit.
Për të shtuar sa më shumë gamën e të informuarve dhe grupeve të targetuar për informim, aktiviteti u realizua si pjesë e “Festës së Afërditës”, një seri aktivitetesh 2-ditore që zhvillohen çdo vit nga bashkia Belsh, kushtuar perëndeshës “Afërditë”.
Momenti më kulmor i festimeve të Javës së Evropës ishte mbrëmja, kur me qindra të rinj dhe qytetarë të Belshit ndezën fenerët, duke krijuar në mënyrë spektakolare flamurin e Bashkimit Evropian.