Skip to main content

Njësia e Integrimit Evropian pranë Bashkisë Patos në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim, Bashkëpunim dhe Integrim (CDCI), një OJQ e themeluar në Patos, kanë organizuar dhe zhvilluar për 5 ditë me radhë aktivitetin "Shkolla Verore e Bashkimit Evropian" me nxënës nga shkollat e mesme të Patosit. 

Në këtë shkollë verore morën pjesë 20 të rinj, të cilëve iu dha mundësia të zgjeronin njohuritë mbi tematika të ndryshme në lidhje me vullnetarizmin, mjedisin, Bashkimin Evropian, dhe çështje të ndryshme me karakter rinor dhe qytetar si brezi i ardhshëm i Shqipërisë Evropiane. 

Leksioneve dhe ushtrimeve në ambiente të mbyllura, iu shtuan edhe ngjarje të ndryshme kulturore dhe ekskursione, ku të rinjtë patën mundësinë e zhvillimit të lojërave sportive-edukative në plazhin e Zvërnecit. 

Pas përfundimit të “Shkollës Verore të BE”, nxënësit u pajisën me çertifikata ku dhe u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së tyre në ambientet e Bashkisë, nën praninë e Zv/Kryetarit, Z. Klaudio Alisinanaj. 

Kjo shkollë ka shërbyer për rrjetëzimin e tyre, pasi ky grup rinor pritet të vetëfunksionojë për të zbatuar kalendarin 1-vjeçar të vullnetarizmit, ku çdo muaj ata do të ndërmarrin nga një nismë vullnetare në shërbim të qytetit dhe komunitetit ku bëjnë pjesë. 

Ky format do të aplikohet nga Njësia e Integrimit Evropia Patos edhe në vitet në vijim, duke hapur një dritare për të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të jenë pjesë e programeve Evropiane.