“Roli i Bashkive në procesin e Integrimit Evropian” ka mbërritur edhe në Patos

  • Posted on: 16 March 2020
  • By: admin

“Roli i Bashkive në procesin e Integrimit Evropian” ka mbërritur edhe në Patos si pjesë e turit të takimeve publike që projekti “Bashkitë për në Evropë”, po zhvillon në çdo bashki të vendit për të prezantuar gjetjet e raportit të Vlerësimit të Performancës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri kundrejt procesit të Integrimit në BE. 
Kryebashkiakja Balilaj theksoi në fjalën e saj vemendjen e madhe që Bashkia Patos ka treguar ndaj procesit të mbledhjes së të dhënave vendore, për të ndërtuar këtë raport që do të shërbejë si një burim i vlefshëm informacioni për politikëbërësit në nivel qendror dhe bashkërendimin e aksioneve të përbashkëta për të përshpejtuar rrugën drejt integrimit në familjen e madhe Evropiane. 
Raporti i Vlerësimit për vitin 2018 u prezantua nga Znj. Jolanda Trebicka, drejtuese e projektit “Bashkitë për në Evropë”, e cila shprehu ndër të tjera rëndësinë e madhe që kanë Njësitë e Qeverisjes Vendore në Shqipëri për të gjithë procesin e Integrimit Evropian, duke qenë se pika fundore e zbatimit të pjesës më të madhe të legjislacionit të BE-së, është pushteti vendor. 
Siguria ushqimore si një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ishte tematika kryesore e takimit në Bashkinë Patos ku mori pjesë gjithashtu edhe Z. Llazar Korra, Menaxher Programi për Bujqësinë dhe Sigurinë Ushqimore në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë si edhe Z. Gramoz Sokolaj nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. 
Takimi u mbyll me prezantimin e programeve dhe fondeve të Bashkimit Evropian nga stafi i projektit të cilët iu bënë të ditur gjithë të pranishmëve për mundësitë e shumta që ofron Bashkimi Evropian për Shqipërinë, institucionet shqiptare dhe shoqërinë civile në vendin tonë.