“Bashkitë për në Evropë” vazhdon trajnimet me përgjegjësit e Njësive të Integrimit Evropian në Bashkitë e Shqipërisë

  • Posted on: 1 June 2020
  • By: admin

Përgjatë dy javëve të fundit, Projekti “Bashkitë për në Evropë”, në bashkëpunim me ASPA ka vazhduar trainimet e përgjegjësve të Njësive të Integrimit Evropian në të gjithë bashkitë e Shqipërisë.

Politikat e Bashkimit Evropian në nivel Vendor, institucionet e Bashkimit Evropian, historiku i marrëdhënieve dhe rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së, politikat e ndjekura dhe roli i pushtetit në këtë rrugëtim, si dhe roli thelbësor që kanë luajtu dhe do të luajnë Njësitë e Integrimit Evropian në këto bashki, kanë qenë larmia e temave të diskutuara. 

Për shkak të situatës mbarëbotërore, trainimet janë zhvilluar online duke shfrytzuar teknologjinë, ndërkohë që i është lënë hapësirë interaktivitetit mes trainuesve dhe pjesëmarrësve në trainim.

Ditën e premte, të pranishmit në trainimin online i ka përshëndetur edhe Z. Orlando Fusco, Program Officer for Good Governance, në Delegacionin e BE në Shqipëri.

“E kam thënë dhe do ta përsëris gjithmonë, se fakti që 70% e legjislacionit të Bashkimit Evropian zbatohet në nivel lokal, flet vetë për rëndësinë që ka roli juaj si drejtues të Njësive të Integrimit, në këtë përpjekje madhore historike të Shqipërisë, për t’u bërë vend anëtar. Ndaj ju inkurajoj që të vazhdoni përpara me energjinë pozitive që ju ka karakterizuar deri më sot, për t’i dhënë një shtysë edhe më të fortë procesit”, tha Z. Fusco.

Më tej, ai shtoi se “Bashkimi Evropian është duke mbështetur Shqipërinë në fusha të ndxryshme, të tilla si përfshirja sociale, ekonomia, nëngrantet e “BE për Bashkitë” etj. Bashkitë duhet të shfrytëzojnë në mënyrë sa më efikase punën dhe aktivitetin tuaj në funksion të përthithjes së këtyre fondeve dhe më tej zbatimit të tyre në mënyrën e duhur. Në këtë mënyrë, roli juaj në pushtetin vendor fuqizohet më shumë, në të gjitha aspektet”.

“Bashkitë për në Evropë” do të vazhdojë serinë e trainimeve edhe gjatë javës së ardhshme.